Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar, ku në fokus ka qenë situata politike në vend dhe protestat e fundit.

Pas përfundimit të takimit, Rama u pa duke dalë nga selia rozë i shoqëruar nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, me të cilin zhvilloi një komunikim të shkurtër përpara se të largohej.

Reklame

Sipas burimeve, gjatë mbledhjes kryeministri ka ndalur veçanërisht te protestat e zhvilluara së fundmi, të cilat i ka cilësuar si pjesë të një “lufte digjitale”. Ai u ka kërkuar drejtuesve politikë dhe deputetëve socialistë të intensifikojnë kontaktet me qytetarët dhe të jenë më pranë problematikave të përditshme.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve është përqendruar te komunikimi me komunitetet dhe evidentimi i shqetësimeve konkrete të qytetarëve.

Rama ka kërkuar nga deputetët dhe strukturat e partisë që të angazhohen më shumë në terren, duke u njohur nga afër me problemet që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike dhe çështje të tjera që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve.

Reklame