Një i ri shqiptar është arrestuar në Bolzano, pasi dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti të trafikut dhe shpërndarjes së drogës në veri të Italisë.
Sipas mediave italiane, shqiptari u kap në flagrancë teksa po shiste një dozë droge tek përdoruesit në zonë.
Gjatë kontrollit fizik, autoritetet gjetën një sasi kanabisi, e cila sipas hetuesve mjaftonte për përgatitjen dhe shpërndarjen e rreth 75 dozave në tregun e paligjshëm.
Kontrollet vijuan edhe në banesën e të riut, ku policia zbuloi 34 pako alumini me kokainë, si dhe një tjetër sasi lënde narkotike që, sipas vlerësimeve paraprake, mund të përdorej për të nxjerrë në treg rreth 160 doza të tjera.
Pas arrestimit, shqiptari është dërguar në paraburgim, ndërsa pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të tij me grupe të tjera të shpërndarjes së drogës në rajon.














