Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin Andon Bita, i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryer më shumë se një herë.
Sipas organit të akuzës, hetimet paraprake kanë zbuluar se Bita ka siguruar të ardhura nga veprimtari e paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat më pas i ka investuar në Shqipëri, kryesisht në pasuri të paluajtshme.
Prokuroria thekson se përmes blerjes së apartamenteve në Sarandë dhe një automjeti tip “Mercedes Benz”, që përdorej për transport udhëtarësh, i dyshuari ka kryer veprime financiare me qëllim fshehjen e origjinës së parave dhe shmangien e detyrimeve të raportimit sipas legjislacionit kundër pastrimit të parave.
Në kuadër të hetimit, me kërkesë të Prokurorisë së Gjirokastër, është vendosur masa e “sekuestros preventive” mbi pasuritë e tij, konkretisht:
- një apartament me sipërfaqe 66.8 m² në rrugën “1 Maji”, Sarandë
- një apartament me sipërfaqe 160.7 m² në të njëjtën zonë
- një automjet “Mercedes Benz”
Prokuroria bën me dije se do të vijojë hetimet për rastet e pasurimit të paligjshëm, duke synuar identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve që burojnë nga aktivitet kriminal.
Ky rast vjen në një kohë kur lufta kundër pastrimit të parave mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve ligjzbatuese në vend, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe sistemin financiar.














