Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, disa rrugë në afërsi të stadiumit do të bllokohen për qarkullimin e automjeteve duke nisur nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes.
Rrugët që do të jenë të bllokuara janë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food “Laguna”, pranë urës së ish-hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si korridor hyrjeje vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
- Në sheshin “Wilson”, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri” pak para përfundimit të ndeshjes.
Policia sqaron se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin e mjeteve.
Gjithashtu, autoritetet kanë paralajmëruar kontrolle të shtuara ndaj tifozëve para hyrjes në stadium. Nuk do të lejohet futja e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të telefonave celularë, produkteve kozmetike dhe sendeve të tjera që mund të paraqesin rrezik për sigurinë.
Policia u bën thirrje tifozëve që të paraqiten pranë hyrjeve të stadiumit duke filluar nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe grumbullimet.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, qindra efektivë policie do të jenë të angazhuar në terren, si për ruajtjen e rendit publik ashtu edhe për orientimin dhe ndihmën ndaj qytetarëve.














