Pas një operacioni të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, autoritetet shqiptare kanë arritur të riatdhesojnë Eva Dumanin, e cila prej vitesh ndodhej në kampin Al Hol në Siri.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se në këtë proces janë përfshirë Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe strukturat kundër terrorizmit, në bashkëpunim me autoritetet turke. Eva Dumani mbërriti paraditen e sotme në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia me linjën “Pegasus”.
Një histori që nis në vitin 2014
Historia e saj nis në vitin 2014, kur ishte vetëm 9 vjeç. Babai i saj, Shkëlzen Dumani, e mori së bashku me të vëllanë 7-vjeçar me pretendimin për një udhëtim fundjave në Mal të Zi, pasi kishte siguruar prokurë nga bashkëshortja për të nxjerrë fëmijët jashtë vendit.
Por udhëtimi rezultoi të ishte drejt Sirisë. Pasi kaloi nga Stambolli, ai iu bashkua frontit të luftës, ku më vonë mbeti i vrarë, duke lënë dy fëmijët në zonë konflikti.
Pas vitit 2019, Eva dhe i vëllai përfunduan në kampin Al Hol, ku strehoheshin mijëra gra dhe fëmijë të lidhur me luftëtarët e të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Operacioni i vitit 2020 dhe ndarja nga i vëllai
Më 26 tetor 2020, qeveria shqiptare ndërmori një operacion riatdhesimi për kthimin e grave dhe fëmijëve nga kampet siriane. Në atë operacion u kthye vetëm i vëllai i saj, Endri Dumani, atëherë 13 vjeç, së bashku me katër anëtarë të familjes Rasha.
Eva mbeti në kamp. Në atë kohë u raportua se ajo ishte fshehur dhe nuk kishte pranuar të kthehej, por ky informacion nuk u konfirmua zyrtarisht.
Përpjekje shumëvjeçare dhe rikthimi në atdhe
Pas përpjekjeve të gjata nga familjarët, daja i saj arriti ta nxirrte nga kampi dhe ta kalonte përtej kufirit Siri–Turqi rreth dy javë më parë. Më pas, me ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, u bë i mundur kthimi i saj përfundimtar në Shqipëri.
Riatdhesimi i Evës shënon fundin e një ndarjeje 12-vjeçare nga e ëma dhe 6-vjeçare nga i vëllai, i cili sot është 19 vjeç.
Gjatë qëndrimit në kamp, familja përjetoi edhe një tjetër humbje të rëndë: gjyshja e saj, e cila kishte udhëtuar drejt Sirisë me shpresën për të marrë nipërit, mbeti e bllokuar në kampin Al Hol dhe ndërroi jetë atje.
Kthimi i Evës në Shqipëri mbyll një kapitull të gjatë dhe të dhimbshëm për familjen Dumani, ndërsa ajo përballet tashmë me sfidën e integrimit dhe ndërtimit të një jete të re pas më shumë se një dekade në një nga kampet më të vështira të Lindjes së Mesme.














