Monika Kryemadhi ka mohuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar çdo ndërhyrje politike apo të paligjshme në procedurat administrative për të cilat akuzohet, duke kërkuar që në proces të paraqiten prova konkrete që dëshmojnë ndikimin e saj te zyrtarët.

Gjatë qëndrimit të saj para gjykatës, Kryemadhi u ndal te komunikimet me biznesmenin Adrian Shatku dhe pretendimet e Prokurorisë së Posaçme për ndikim në procedura që lidhen me ish-ministrin Edmond Haxhinasto.

Reklame

“Më gjeni një mesazh që t’i kem thënë Haxhinastos ‘bëje se të vrava’, ‘bëje se të shkarkoj nga puna’ apo ‘bëje për kaq përfitim’. Nuk provohet asnjë ndërhyrje nga ana ime për një procedurë që kishte 6 vite”, është shprehur Kryemadhi.

Sipas saj, komunikimet mes Shatkut dhe Haxhinastos kanë qenë zyrtare dhe të dokumentuara dhe nuk përmbajnë referenca për ndërhyrje të saj.

“Shikoni komunikimet mes Shatkut dhe Haxhinastos, gjithçka është zyrtare, protokollare. Askund biznesmeni nuk thotë ‘bëje se kam folur me Monikën’. Zero”, deklaroi ajo.

Kryemadhi kundërshtoi edhe mënyrën se si janë paraqitur akuzat, duke argumentuar se nuk ka prova konkrete që tregojnë ekzistencën e një skeme korrupsioni.

“Kemi dy faqe në akuzë, thua ti kaloi nëndetësja me drogë. Nëse do kishte ekzistuar ndërhyrje korruptive nga ana ime, nuk do të ishin ndjekur rrugët institucionale”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi: Komunikimet për vajzën time nuk kanë lidhje me akuzat

Gjatë seancës, Kryemadhi kundërshtoi gjithashtu përfshirjen në dosje të komunikimeve që lidhen me vajzën e saj, Bora. Ajo tha se këto biseda nuk kanë lidhje me procedurat administrative apo me pretendimet për ndikim të paligjshëm.

“Ç’lidhje ka goca ime në akuzë? Këto biseda nuk lidhen as me Haxhinaston, as me AKKEP-in, as me ndikime të paligjshme”, u shpreh ajo.

Kryemadhi mohoi edhe pretendimet se biznesmeni Adrian Shatku kishte paguar shkollimin e vajzës së saj, duke kërkuar që çështja të verifikohet përmes dokumenteve financiare.

“Nuk është e vërtetë që Shatku ka paguar shkollën e vajzës. Mund të merrej nga shkolla analiza financiare e shpenzimeve”, tha ajo.

Përplasja me gjykatën për komunikimet

Në vijim të seancës, Kryemadhi kundërshtoi mënyrën se si, sipas saj, janë përdorur komunikimet e ndryshme në dosjen hetimore. Ajo pretendoi se një komunikim i vetëm nuk mund të përdoret si provë për çështje të ndryshme.

“Përdorimi i kartës lidhet ose me fibrat optike, ose me Vodafone-in. Nuk mund të përdoren dy objekte totalisht të ndryshme duke i lidhur me të njëjtin fakt juridik. Komunikimi përkatës nuk mund të trajtohet si provë universale”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha se komunikimet që lidhen me blerje apo shpenzime private duhet të veçohen nga ato që lidhen me procedurat administrative dhe çështjet e tjera të përfshira në proces.

Kryemadhi pretendoi gjithashtu se në dosje janë përfshirë dhjetëra faqe me komunikime që, sipas saj, nuk provojnë ndërhyrje të paligjshme.

“Janë gati 70 faqe që merren vetëm me ‘më the, të thashë’ për çështjen e fibrave optike. Nëse do të kishte pasur ndërhyrje nga ana ime dhe e Metës, Haxhinasto nuk do të kishte ndërmarrë asnjë veprim, por kjo nuk ka ndodhur, pasi janë ngritur pesë grupe pune”, u shpreh ajo.

Në një moment të seancës, gjyqtari Erion Bani i kërkoi Kryemadhit të përmblidhte argumentet e saj dhe të fokusohej te komunikimet që janë pjesë e shqyrtimit gjyqësor.

“Zonja Kryemadhi, jeni bërë juriste. Ju lutem, në mënyrë të përmbledhur. Jo çdo lloj komunikimi mund të lexohet këtu. Mund të keni 5000 emaile, por duhen lexuar vetëm ato mesazhe që janë pjesë e shqyrtimit gjyqësor”, tha Bani.

Kryemadhi: Pse ndryshon standardi për komunikimet me Ramën?

Kryemadhi pretendoi se në dosje ekzistojnë edhe komunikime dhe ndërveprime të saj me kryeministrin Edi Rama, të cilat, sipas saj, duhet të trajtohen me të njëjtin standard si komunikimet e personave të tjerë.

“Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, madje më shumë se komunikime dhe ndërveprime me Ilir Metën. Pra, janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje dhe kryeministrit. Këtu është Edi Rama. Pse ndryshon standardi? Ose të gjitha provat të trajtohen njësoj, ose kemi një seleksionim për të shkuar drejt një akuze politike”, deklaroi ajo.

Kryemadhi akuzoi gjithashtu se në proces janë përzgjedhur vetëm fragmente komunikimesh që, sipas saj, i shërbejnë tezës së akuzës, ndërsa janë lënë jashtë ndërveprime të tjera.

Procesi gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon në GJKKO, ndërsa gjykata po shqyrton pretendimet e palëve dhe provat e administruara në kuadër të çështjes. Kryemadhi dhe Meta kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë kërkuar që gjykata të vlerësojë ligjshmërinë dhe relevancën e provave të paraqitura në proces.

Lexo edhe:

GJKKO shtyn seancën për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon – ja arsyeja

SPAK jep pretencën/ Ja çfarë kërkohet për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun

Reklame