DURRËS – Një operacion i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit ka çuar në zbulimin dhe bllokimin e rreth 50 mijë eurove të padeklaruara, gjatë kontrolleve të ushtruara në hyrje të vijës së dytë të mjeteve të rënda.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve të kryera në një mjet tip bizarkë, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një çantë me para cash në prerje të ndryshme, të cilat nuk ishin deklaruar sipas detyrimeve ligjore në fuqi për transportin e shumave monetare.

Reklame

Pas evidentimit të rastit, autoritetet kanë bllokuar shumën e parave, drejtuesin e mjetit si dhe vetë mjetin, ndërsa kanë nisur procedurat përkatëse ligjore.

Materialet procedurale i janë referuar strukturave hetimore pranë Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, të cilat do të vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe burimit të shumës së sekuestruar.

Policia Kufitare vijon kontrollet e shtuara në pikat e kalimit kufitar me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të mosdeklarimit të parave, si dhe të veprimtarive të tjera të paligjshme ndërkufitare.

Reklame