TIRANË – Ka nisur pasditen e kësaj të hëne protesta e radhës kundër projektit për ndërtimin e resortit turistik në zonën e Zvërnecit, një çështje që prej ditësh ka shkaktuar debate të forta publike dhe përplasje mes banorëve, aktivistëve dhe kompanisë zbatuese.
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur fillimisht përpara Ministrisë së Brendshme, duke mbajtur pankarta me mesazhe kundër projektit dhe me thirrjen simbolike “Shqipëria nuk është në shitje”. Më pas protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë për të vijuar kundërshtimin e tyre.
Kjo është protesta e dytë e organizuar në Tiranë lidhur me zhvillimet në Zvërnec, ndërsa manifestime të ngjashme janë mbajtur edhe në vetë zonën ku parashikohet investimi.
Çështja mori jehonë të madhe pas incidenteve të regjistruara gjatë fundjavës në Zvërnec, ku pati përplasje fizike mes protestuesve dhe punonjësve të një kompanie private sigurie. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe media shkaktuan reagime të shumta, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për ngjarjen.
Banorët dhe aktivistët që kundërshtojnë projektin argumentojnë se ndërtimi i resortit cenon një nga zonat më të ndjeshme natyrore të bregdetit shqiptar, ndërsa mbështetësit e investimit e konsiderojnë atë një mundësi për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.














