Advertisement

Banorët e fshatit Luz dhe zonave përreth në Fushë-Krujë kanë hyrë në ditën e tretë të protestës, duke kërkuar rikonstruksionin e aksit rrugor që lidh zonën me pjesën tjetër të njësisë administrative. Shkak i protestës është gjendja e rënduar dhe e amortizuar e rrugës, e cila, sipas banorëve, ka vështirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe jetën e përditshme.

Në shenjë solidariteti me kërkesat e komunitetit, nxënësit e shkollës së fshatit kanë bojkotuar sot mësimin, duke iu bashkuar protestës së banorëve. Sipas tyre, rruga problematike ka krijuar jo vetëm vonesa dhe vështirësi në ndjekjen e shkollës, por edhe rrezik real për sigurinë, veçanërisht gjatë kushteve të vështira atmosferike.

Reklame

Si pasojë e protestës, dhjetëra kamionë dhe automjete të tjera janë bllokuar, duke paralizuar qarkullimin në këtë segment rrugor. Banorët theksojnë se bllokimi është i detyruar, pasi prej vitesh ankesat dhe kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga institucionet.

Protestuesit deklarojnë se do të vijojnë protestën dhe bllokimin e qarkullimit deri në momentin që autoritetet përkatëse të ndërmarrin masa konkrete për rikonstruksionin e rrugës. Ata kërkojnë një afat të qartë dhe nisjen e punimeve, duke paralajmëruar se në të kundërt protesta mund të përshkallëzohet në ditët në vijim.

Banorët theksojnë se kërkesa e tyre është thelbësore dhe jetike, pasi rruga përbën lidhjen kryesore të zonës me shërbimet, shkollat dhe tregun, ndërsa gjendja aktuale po i izolon gjithnjë e më shumë.

Reklame