Advertisement

Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Again”, në kuadër të goditjes së vjedhjeve në subjekte tregtare, duke vënë në pranga autorin e dyshuar të dy grabitjeve të ndodhura brenda pak ditësh në qytet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, pas veprimeve intensive hetimore dhe gjurmuese, kanë arrestuar për veprën penale “Vjedhja” shtetasin Endrit Kaso, 33 vjeç, banues në lagjen “Rilindja”, Vlorë, person me precedent penal për të njëjtën vepër.

Reklame

Nga hetimet ka rezultuar se 33-vjeçari është autor i vjedhjes së dy minimarketeve në zona të ndryshme të qytetit:

Më 29.01.2026, në lagjen “Pavarësia 2”

Më 31.01.2026, në lagjen “Isa Boletini”

Në të dy rastet, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash dhe steka cigaresh, duke shkaktuar dëme financiare për pronarët e bizneseve.

Policia bën me dije se po vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë, për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor edhe të rasteve të tjera të vjedhjeve, që dyshohet se janë kryer nga i njëjti shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.

Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e bizneseve të vogla, të cilat shpesh mbeten objekt i vjedhjeve të përsëritura, sidomos gjatë orëve të vona.

Reklame