Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka ngritur shqetësimin për situatën në transportin publik në kryeqytet, duke deklaruar se shërbimi urban ndodhet në një krizë serioze dhe rrezikon paralizë të plotë.
Sipas Telitit, kompanitë e transportit urban kanë nisur reduktimin e flotës së autobusëve me rreth 40%, si pasojë e kostove të larta dhe të papërballueshme të operimit.
“Ky është fillimi i krizës reale dhe me pasoja të rënda,” u shpreh ai, duke paralajmëruar se situata do të sjellë përkeqësim të lëvizshmërisë në kryeqytet, rritje të trafikut dhe ndotjes së ajrit.
Teliti thekson se reduktimi i autobusëve do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe funksionimin normal të shërbimeve.
Ai ka kritikuar institucionet për mungesë reagimi, duke akuzuar qeverinë dhe bashkinë për heshtje dhe shpërfillje të paralajmërimeve.
Në deklaratën e tij, Teliti ka kërkuar masa urgjente, përfshirë uljen e barrës fiskale mbi karburantin dhe thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës për miratimin e një pakete mbështetëse për sektorin.
Gjithashtu, ai ka bërë thirrje për protestë më 17 prill, duke theksuar se transporti publik është një shërbim jetik dhe jo luks për qytetarët.
“Është momenti për të reaguar dhe për të kërkuar llogari,” përfundoi Teliti në deklaratën e tij.















