Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po pengon reformën territoriale dhe po krijon kushtet për një përplasje politike me opozitën dhe qytetarët.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se opozita e kishte mbajtur parlamentin për disa orë duke ngritur dy çështje kryesore: reformën territoriale dhe kërkesat e protestuesve që ndodheshin jashtë Kuvendit.
Sipas Berishës, mazhoranca nuk përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë.
Ai e akuzoi qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike, lidhje me grupe kriminale dhe ndikim mbi proceset zgjedhore.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka kërkuar përfundimin e punimeve të Kuvendit, ndërsa akuzoi Ramën se është tërhequr në mënyrë të njëanshme nga procesi i reformës territoriale.
Berisha: PD përgatiti projektin e reformës territoriale
Kreu i PD-së tha se opozita kishte vendosur të merrte pjesë në komisionin për reformën territoriale, pavarësisht qëndrimit kritik ndaj qeverisë.
Ai vlerësoi punën e deputetit Luçiano Boçi dhe ekspertëve të angazhuar nga opozita. Sipas Berishës, propozimi i PD-së parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave.
“Përgatitën me seriozitetin më të madh, së bashku me ekspertët e fushës, projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale.
Ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin”, deklaroi Berisha.
Ai tha se pas konsultimeve me qytetarët, mazhoranca vendosi të mbyllë punimet e komisionit dhe të miratojë në mënyrë të njëanshme raportin e saj.
Berisha: Ftoj qytetarët të protestojnë
Në përfundim të deklaratës, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen në protestat kundër qeverisë.
Sipas tij, reforma territoriale është një çështje me rëndësi për komunitetet në të gjithë vendin dhe nuk duhet të vendoset vetëm nga qeveria.
“Unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ta, për komunitetet e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës.
Të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, u shpreh Berisha.
Lexo edhe:
Berisha: Rama nuk shpëton më, varrosi reformën territoriale të mbështetur nga ndërkombëtarët
Berisha i përgjigjet Ramës: Terroristë janë ata që sulmojnë qytetarët














