Qeveria ka hedhur për konsultim publik draftin e ri për dhënien me qira të zonave të gjuetisë, duke parashikuar rregulla më të forta për administrimin, kontrollin dhe mbrojtjen e biodiversitetit në vend.
Sipas dokumentit, subjektet që do të aplikojnë për marrjen me qira të këtyre zonave do të duhet të paraqesin plane të detajuara jo vetëm për speciet që do të lejohen për gjueti, por edhe për ripopullimin dhe mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve të egra.
Në draft theksohet se synimi kryesor nuk lidhet vetëm me zhvillimin e aktivitetit të gjuetisë, por edhe me ruajtjen e biodiversitetit, menaxhimin e territorit dhe parandalimin e emergjencave, si rastet e zjarreve.
Për këtë arsye, kompanitë do të duhet të kenë staf të specializuar, i cili do të jetë përgjegjës për monitorimin dhe rritjen e faunës së egër në sipërfaqet e marra me qira.
Lejet do të jepen nga bashkitë dhe fituesit do të përzgjidhen përmes një sistemi pikëzimi, ku do të vlerësohen dokumentacioni ligjor, kapacitetet teknike, oferta financiare dhe plani i menaxhimit të aktivitetit.
Në relacionin shoqërues të draftit thuhet gjithashtu se kjo skemë synon të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale në zonat ku do të ushtrohet aktiviteti i gjuetisë.
Kontratat e qirasë parashikohen të kenë një afat 5-vjeçar, ndërsa subjektet që nuk shpallen fituese do të kenë të drejtën e ankimimit pas përfundimit të procedurave.
Në vitin 2014, qeveria vendosi moratoriumin e gjuetisë, duke ndaluar vrasjen e kafshëve dhe shpendëve të egra. Ky ndalim qëndroi në fuqi deri në vitin 2025, kur u miratuan rregullat e reja për gjuetinë dhe ligji për dhënien me qira të zonave të dedikuara për këtë aktivitet.















