Advertisement

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar përfaqësuesit e supermarketeve dhe furnitorët kryesorë për çmimet e produkteve bazë, teksa qeveria po përgatit vënien në funksion të platformës së re digjitale “Pasqyra e Çmimeve”.

Gjatë takimit me përfaqësues të operatorëve të tregut, Rama kërkoi bashkëpunim konkret për fazën pilot të platformës, duke kërkuar që supermarketet të transmetojnë të dhënat për produktet dhe çmimet e tyre.

Reklame

Platforma synon t’u mundësojë qytetarëve të krahasojnë çmimin e të njëjtit produkt në pika të ndryshme shitjeje. Në sistem pritet të përfshihen të dhëna si barkodi, marka, gramatura dhe njësia matëse.

Rama kërkoi gjithashtu që të publikohet çmimi final që paguan konsumatori, përfshirë TVSH-në, ndërsa të bëhet dallimi mes çmimit normal dhe atij promocional. Platforma duhet të tregojë edhe nëse një produkt nuk është në stok.

“Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”

Në fjalën e tij, Rama e bëri të qartë se qeveria nuk synon të përcaktojë çmimet apo t’u ndalojë bizneseve fitimin.

Por ai paralajmëroi se fitimet nuk duhet, sipas tij, të rëndojnë mbi konsumatorët.

“Fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë”, deklaroi Rama, duke iu drejtuar përfaqësuesve të supermarketeve.

Ai tha se bëhet fjalë veçanërisht për produkte jetike të shportës dhe jo për produkte luksi, duke sjellë si shembull edhe vështirësinë e familjeve për të përballuar blerjet e përditshme.

Rama argumentoi gjithashtu se forcimi i lekut dhe rënia e inflacionit të importuar, sipas të dhënave që ai iu referua nga Banka e Shqipërisë, duhet të kishin sjellë ulje në disa kategori çmimesh.

Çfarë do të shohë qytetari?

“Pasqyra e Çmimeve” synon të krijojë një mekanizëm ku konsumatori mund të kontrollojë çmimin e një produkti dhe ta krahasojë atë mes pikave të ndryshme të shitjes.

Qeveria ka deklaruar se monitorimi nuk do të ndalet vetëm te çmimi në raft, por do të shtrihet edhe përgjatë zinxhirit të formimit të çmimit, nga importi ose prodhimi deri te konsumatori final.

Ministri i Financave Petrit Malaj ka theksuar se analiza e marzheve përgjatë këtij zinxhiri synon t’i japë qeverisë më shumë informacion për strukturën e çmimeve dhe hapësirat për politika që mund të lehtësojnë konsumatorët.

Platforma pritet të nisë fillimisht me një fazë pilot, ndërsa qeveria kërkon nga rrjetet e supermarketeve të konfirmojnë pikat e shitjes dhe të dorëzojnë të dhënat e nevojshme.

Në fund të takimit, Rama u kërkoi operatorëve të tregut të japin edhe propozimet e tyre për mënyrën se si mekanizmi mund të funksionojë më mirë, por theksoi se qëllimi i nismës, sipas tij, nuk duhet të negociohet: më shumë transparencë dhe lehtësim i barrës së çmimeve për konsumatorët.

Lexo edhe:

Rama i shtrin dorën gjyqësorit për pagat: “Të ulemi në tryezë dhe të gjejmë një zgjidhje afatgjatë”

“Rama i ftoi në tryezë, gjyqtarët i përgjigjen me Kushtetuese”! Magjistratët refuzojnë dialogun për pagat

Reklame