Kryeministri Edi Rama ka reaguar për debatin mbi sistemin e pagave të magjistratëve, duke ftuar drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit në një tryezë të përbashkët pune.
Në një postim në platformën X, Rama shprehet se pret një përgjigje pozitive nga drejtuesit e dy këshillave dhe institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që, sipas tij, të jetë e qëndrueshme në afatgjatë.
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor […] do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, diskutimi duhet të adresojë sistemin e pagave të magjistratëve, duke ruajtur njëkohësisht atë që ai e quan “ekuilibrin e përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave”.
Rama ka propozuar gjithashtu përfshirjen e ekspertëve të Këshillit të Europës dhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë (CEPEJ) në tryezën e diskutimit.
Kryeministri ka argumentuar se rritja e pagave dhe pavarësia e magjistratëve janë rezultate të reformave të ndërmarra nga shumica qeverisëse. “Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli”, shkruan ai.
Rama thotë se qeveria nuk kërkon konflikt me gjyqësorin, por “bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë”.
Në fund të reagimit, ai kërkon që mosdakordësitë mes institucioneve të trajtohen përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Reagimi vjen në një kohë kur debati për mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve është kthyer në një çështje të diskutuar mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit.
Lexo edhe:















