Mijëra studentë, mësues dhe punonjës të administratës publike kanë dalë në protestë në Athinë, Selanik dhe qytete të tjera të Greqisë, duke kërkuar kushte më të mira në shkolla, paga më të larta për mësuesit dhe arsim publik falas. Protestuesit kanë shprehur gjithashtu shqetësimin për rritjen e kostos së jetesës dhe çmimet e larta të qirave, që po ua vështirësojnë të rinjve mundësinë për të jetuar të pavarur.

Demonstratat janë shoqëruar me greva në sektorin e arsimit. Sindikata e mësuesve të shkollave fillore ka shpallur një grevë 24-orëshe, ndërsa federata e mësuesve të shkollave të mesme ka njoftuar ndërprerjen e punës për tri orë.

Reklame

Protestat janë nxitur pjesërisht edhe nga demonstratat në Francë dhe Spanjë, të cilat janë kthyer në burim frymëzimi për një pjesë të të rinjve grekë. Në Athinë, përpara parlamentit, në sheshin Sintagma, protestuesit kanë vendosur një banderolë të madhe me mesazhin: “Nga Greqia në Francë, luftojmë për arsimin publik dhe falas”.

Studentët që morën pjesë në tubim thanë se mbështesin kërkesat e të rinjve francezë, pavarësisht se vëmendja mediatike është përqendruar kryesisht te episodet e dhunës gjatë protestave.

“Askush nuk i vë në dyshim mesazhin apo shqetësimet e tyre, edhe nëse mbulimi mediatik përqendrohet kryesisht te dhuna”, u shpreh Fotini, një studente në Athinë.

Ajo theksoi se brezi i ri po përballet me perspektiva të kufizuara ekonomike, pavarësisht sakrificave të prindërve të tyre.

“Prindërit tanë kanë përballuar kaq shumë vështirësi dhe kanë bërë kaq shumë sakrifica, ndaj janë vërtet të zhgënjyer dhe të zemëruar që edhe ne kemi kaq pak perspektiva. Shumë prej nesh detyrohen të jetojnë ende me familjet edhe pasi diplomohen, sepse kostoja e jetesës dhe qiratë e banesave janë tepër të larta”, deklaroi ajo.

Përveç kushteve të mësimdhënies dhe pagave, një tjetër objektiv i protestuesve janë universitetet private. Studentët kundërshtojnë zgjerimin e këtij sektori, ku përfshihen edhe institucione britanike që kanë hapur degë në kryeqytetin grek.

“Jo universiteteve private. Studime falas dhe bashkëkohore për të gjithë”, thuhej në një tjetër banderolë të vendosur në sheshin Sintagma.

Greqia ka një histori të gjatë protestash masive, veçanërisht gjatë krizës së borxhit që tronditi vendin. Por për brezin e ri që doli në rrugë këtë herë, në qendër të pakënaqësisë janë problemet e vazhdueshme të financimit të arsimit publik, vështirësitë ekonomike dhe mungesa e mundësive për një jetë të pavarur pas përfundimit të studimeve.

Lexo edhe

Lë flamingon, vendos karriget e dialogut! Rama ndryshon profilin në Facebook mes protestave

Në makinë me studentin protestues, duke shkuar në Budva për Samitin e Procesit të Berlinit

Reklame