Advertisement

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq administratorin, kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës së FAF sh.a., për “Shpërdorim detyre”.

Shkak është bërë procedura e tenderit për blerjen e një makine të ish-sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, mjet i cili do të zëvendësonte punën e 6 mjeteve të tjera në dispozicion.

Reklame

Përveç kësaj, në njoftimin e saj, Prokuroria bën me dije se është punësuar një shofer shtesë për përdorimin e këtij mjeti, ndërkohë që institucioni kishte në dispozicion 6 shoferë të mbetur “pa punë” si rezultat i blerjes së këtij mjeti.

Personat e dërguar në gjyq

Ilda Malile

Alda Klosi

Llambi Prendi

Dashmir Qeli

Anila Cili

Mimoza Loli

Dhe në këtë listë të të paditurve nga Prokuroria bie në sy emri i Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-ministrit të Financave që kishte fshehur 470 mijë euro te tubi i sobës në shtëpi dhe ia vodhi pastruesja.

Historia është groteske sepse hajdutja e madhe shtetërore doli nga burgu ndërsa hajdutja e hajdutes, pastruesja vazhdon ende në burg… Kjo pasi dënimi përfundimtar ishte 1 vit e 8 muaj burg, i cili përfundoi vjet. Pas lirimit, ajo ka vijuar jetën duke gëzuar një pjesë të pasurisë, por dhe duke u punësuar si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit.

NJOFTIMI I PLOTË

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq administratorin,kryetaren dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Shoqërisë së Parë Financiare të Zhvillimit (FAF sh.a.) shtetasit I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M..L., O.D. dhe E.Xh të akuzuar për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.248 të vitit 2020, sjellë nga Prokuroria e Posaçme, konstatuan një sërë shkeljesh të evidentuara edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me procedurat e prokurimeve të kryera nga këta persona. 

Nga hetimet rezultoi se procedurat e ndjekura. specifikisht për blerje automjeti, janë realizuar pa miratimin e Ministrit të Financave në atë kohë dhe në dosjen e tenderit nuk administrohet argumentimi i kritereve të veçanta për kualifikim, në kundërshtim me ligjet në fuqi. Për sa më sipër është ngarkuar me përgjegjësi administratori D. Q. Si dhe Këshilli Mbikqyrës i përbërë nga kryetarja shtetasja I.M. si dhe anëtarët A.C., A.K., M.L., Ll.P., O.D., si dhe A.Gj.

Ky mjet rezultoi gjithashtu se ishte më parë në pronësi të kryetares së Këshillit Mbikëqyrës, shtetases I.M. ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë.

Hetimet arritën në përfundim se mjeti i blerë nga FAF sh.a., me vendimin e asamblesë në vlerën 1 600 000 lekë me tvsh, që do zëvendësonte punën e 6 mjeteve, nuk mund të përmbushte nevojat për 30 degët në 30 rrethe të Shqipërisë të kompanisë. 

Po kështu dhe caktimi i një vendi shtesë pune për shofer për këtë mjet të sapo blerë, kur ishin tashmë 6 shoferë të tillë pa mjete dhe që merrnin rrogat, ishte i tepërt dhe në kundërshtim të hapur me ligjin. 

Në përfundim të hetimeve, me provat dhe aktet e administruara,Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm vlerësoi se provohet se nga ana e shtetasve të pandehur I.M., A.K., Ll.P., D.Q., A.C., M.L., O.D., dhe E.Xh., me veprime aktive ose mosveprime, janë konsumuar elemente të figurës së veprës penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal.  

Reklame