Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga pjesëmarrja e tij në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Uashington, duke e cilësuar këtë vizitë si momentin më të veçantë të javës.
Sipas Ramës, Shqipëria u ul “me krenari” në një tryezë ku, sipas tij, po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Në fjalën e mbajtur në emër të Shqipërisë, kreu i qeverisë konfirmoi pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza. Ai theksoi se angazhimi i Shqipërisë është në funksion të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Rama e cilësoi procesin si një “maskaradë të pabesueshme”, duke shprehur shqetësimin e tij për standardet e gjykimit.
Ai deklaroi se akuza ka dështuar të provojë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një sipërmarrje kriminale dhe kritikoi kërkesën për 45 vite burg ndaj Thaçit dhe tre ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
Rama u shpreh se rritja e sensibilizimit ndërkombëtar për këtë çështje do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila, sipas tij, duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe njollosjes së saj.














