Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull padisë së aktores Anila Bisha ndaj qeverisë shqiptare dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, lidhur me përdorimin e imazhit të saj për krijimin e “Diellës”, asistentes virtuale të prezantuar si ministre digjitale.

Sipas raportimit, aktorja pretendon se imazhi i saj është përdorur përtej dakordësisë fillestare, duke e kthyer figurën e saj në një “politikane virtuale” të lidhur drejtpërdrejt me ekipin e kryeministrit Edi Rama.

Reklame

Bisha ka deklaruar për Reuters se pas prezantimit të “Diellës”, është përballur me reagime negative në internet dhe me vëmendje të padëshiruar në jetën e përditshme.

“Fillimisht u befasova, buzëqesha dhe thashë se duhet të ishte një shaka. Tani njerëzit më thërrasin Diella dhe më konsiderojnë thjesht si një ministër tjetër të qeverisë”, është shprehur ajo.

Aktorja thekson se vitin e kaluar kishte dhënë pëlqimin që imazhi i saj të përdorej për krijimin e një asistenti virtual të fuqizuar nga inteligjenca artificiale në platformën qeveritare e-Albania, me qëllim ndihmën për qytetarët dhe bizneset në marrjen e dokumenteve shtetërore. Megjithatë, sipas saj, nuk kishte rënë dakord që figura e saj të përdorej si një “ministre virtuale” në komunikimet publike të qeverisë.

“Njerëzit që nuk e pëlqejnë kryeministrin, tani edhe mua më urrejnë”, ka shtuar ajo.

Nga ana tjetër, qeveria mohon çdo përdorim të pahijshëm të ngjashmërisë së saj. Në një reagim për Reuters, zyra e shtypit është shprehur: “Padia është marrëzi, por ne mirëpresim mundësinë për ta zgjidhur atë një herë e përgjithmonë në një gjykatë.”

Çështja pritet të trajtohet në gjykatë, ndërsa debati mbi përdorimin e imazhit personal në projektet e inteligjencës artificiale dhe komunikimin institucional mbetet i hapur.

Reklame