Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot në orën 09:00 grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet të prezantojë një paketë ndryshimesh ligjore që synojnë kufizimin e kompetencës së gjykatave për pezullimin nga detyra të zyrtarëve të lartë kushtetues.
Nisma mban firmën e Ramës, të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.
Pas prezantimit në mbledhjen e grupit të PS, projekt-ndryshimet për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend.
Çfarë ndryshon në nenin 242?
Aktualisht, neni 242 parashikon se masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral, pra deputetëve dhe kryebashkiakëve.
Me propozimin e ri, përjashtimi do të zgjerohet duke përfshirë:
Presidentin e Republikës
Kryeministrin
Anëtarët e Këshillit të Ministrave
Avokatin e Popullit
Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit
Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë
“Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
“Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.
Sipas argumentimit politik të socialistëve, ndryshimi synon të shmangë situatat ku gjykatat, përmes masave të sigurimit, ndërhyjnë në funksionimin e pushtetit ekzekutiv apo të institucioneve kushtetuese.
Mazhoranca thekson se ndryshimet nuk kanë fuqi prapavepruese dhe nuk ndikojnë në rastin e Belinda Balluku, për të cilën Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Socialistët pritet që këtë javë të mbledhin Këshillin e Mandateve, pasi të zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese, në funksion të procedurave të mëtejshme parlamentare.
Nisma pritet të hapë debat të fortë juridik dhe politik, pasi prek balancën mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. Çështja qendrore do të jetë nëse zgjerimi i përjashtimeve nga masa e pezullimit përforcon stabilitetin institucional apo cenon mekanizmat e kontrollit dhe barazisë përpara ligjit.
Projekt-ndryshimet do të ndjekin procedurën parlamentare, ku kërkohet shumicë e thjeshtë për miratim.














