Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të rikthehet këtë të hënë në Kryesinë e Kuvendit për të drejtuar personalisht mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në një moment kyç për mazhorancën.

Takimi, i thirrur në orën 09:00, pritet të fokusohet te nisma ligjore që synon shmangien e pezullimeve nga detyra të ministrave dhe funksionarëve të tjerë të lartë kushtetues nga ana e gjykatave.

Reklame

Burime nga selia rozë bëjnë me dije se Rama do të kërkojë mbështetjen e deputetëve socialistë për nisjen e përgatitjes së argumenteve juridike dhe politike në mbështetje të draftit.

Propozimi për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale mban firmën e kryeministrit Rama, të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja.

Pas diskutimit në grupin parlamentar, ndryshimet pritet të depozitohen zyrtarisht në Kuvend, duke hapur një debat të ri politik dhe kushtetues mbi balancën e pushteteve.

Neni 242 i Kodit të Procedurës Penale sanksionon:

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Në praktikë, kjo do të thotë se deputetët dhe kryebashkiakët nuk mund të pezullohen nga detyra përmes kësaj mase sigurie.

Me draftin e ri, përjashtimi zgjerohet dhe përfshin shprehimisht:

Presidentin e Republikës

Kryeministrin

Anëtarët e Këshillit të Ministrave

Avokatin e Popullit

Kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit

Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë

Formulimi mbetet i njëjtë në thelb, por shton specifikimin se masa e pezullimit nuk zbatohet ndaj këtyre funksionarëve të lartë kushtetues.

Mazhoranca argumenton se ndërhyrja synon të garantojë stabilitet institucional dhe të shmangë situata ku vendimmarrja e ekzekutivit bllokohet përmes masave të përkohshme gjyqësore.

Nga ana tjetër, pritet që opozita ta konsiderojë këtë si një ndërhyrje që prek parimin e barazisë para ligjit dhe balancën mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.

Debati për nenin 242 pritet të jetë një nga përplasjet më të forta politike të javëve në vijim.

Reklame