Ndarja 4 me 4 e Gjykatës Kushtetuese, që la pa vendim kërkesën e qeverisë për të sqaruar nëse kërkesa e SPAK për pezullimin e Belinda Ballukut përbënte ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit, ka hapur një front të ri politik dhe ligjor.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se grupi parlamentar socialist do të angazhohet për një zgjidhje përmes ndërhyrjes në legjislacion, ndërsa mësohet se ndryshimet do të fokusohen konkretisht te neni 242 i Kodit të Procedurës Penale.
Për momentin, sipas burimeve, nuk parashikohet ngritja e një grupi të posaçëm pune brenda grupit parlamentar. Nisma duket se i është besuar Ministrit të Drejtësisë, Besford Lamallari, i cili pritet të hartojë propozimet përkatëse.
Aktualisht, neni 242 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Ky nen u përdor për herë të parë nga SPAK në rastin e kërkesës për pezullimin e Belinda Ballukut nga funksionet që mbante.
Sipas të njëjtave burime, ndryshimet e pritshme synojnë zgjerimin e përjashtimit, duke ndaluar pezullimin nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga Kushtetuta. Drafti i ri pritet të specifikojë se masa e pezullimit nuk do të zbatohet për:
Presidentin e Republikës
Kryeministrin
Anëtarët e Kabinetit Qeverisës
Avokatin e Popullit
Kreun e KLSH-së
Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë
Me këtë ndërhyrje ligjore, mazhoranca synon t’i japë fund debatit politik dhe juridik mbi kufijtë e ndërhyrjes së SPAK dhe miratimit nga GJKKO në raport me kompetencat e pushtetit ekzekutiv.
Ende nuk ka një afat të qartë se kur drafti do të depozitohet në Kuvend për diskutim dhe miratim, por çështja pritet të ndezë debat të fortë në seancat parlamentare.
















