Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se opozita do të hapë një platformë parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, ku deputetët dhe qytetarët do të paraqesin mendimet, propozimet dhe denoncimet e tyre.
Berisha akuzoi mazhorancën për “ekstremizëm” dhe shkelje të rregullores së parlamentit, duke theksuar se nga 9 seanca të zhvilluara, opozita ka pasur mundësi të diskutojë vetëm në një seancë. Ai e konsideroi këtë si asgjësim të parlamentarizmit dhe mohim të të drejtave të opozitës.
“Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament. Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët,” tha Berisha, duke e cilësuar hapin si domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament dhe shkeljes së ligjeve dhe Kushtetutës.
Platforma pritet të shërbejë si një tribunë publike ku opozita do të komunikojë drejtpërdrejt me qytetarët, duke kundërshtuar veprimet e mazhorancës dhe duke kërkuar respektimin e funksionimit të institucionit parlamentar.














