Zjarrfikësi Alban Laçi ka analizuar situatën e krijuar nga zjarri që përfshiu një pallat pranë QSUT në Tiranë, duke ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën e menaxhimit të operacionit nga strukturat përgjegjëse.
I ftuar në emisionin Dita Jonë në A2CNN, Laçi deklaroi se disa nga veprimet e ndërmarra gjatë ndërhyrjes lënë vend për debat, sidomos për sa i përket evakuimit të banorëve dhe përdorimit të mjeteve zjarrfikëse.
Sipas tij, evakuimi përmes shkallëve dhe përdorimi i autoshkallës nuk ishte domosdoshmërisht i nevojshëm, duke qenë se zjarri kishte nisur nga fasada e jashtme e ndërtesës dhe më pas ishte përhapur në brendësi. Ai theksoi se, në aspektin teknik, struktura e ndërtesave të tilla është projektuar në mënyrë që zjarri të mos depërtojë lehtësisht në hapësirat e përbashkëta si shkallët.
Një nga kritikat më të forta të Laçit lidhej me përdorimin e helikopterit gjatë operacionit, të cilin e cilësoi të panevojshëm dhe joefektiv.
“Është një turp i madh përdorimi i helikopterit në këtë ngjarje sepse nuk kryen asnjë funksion. Kostoja arrin në rreth 7 mijë euro në orë. Pilotët janë profesionistë të shkëlqyer, por ndërhyrja në këtë rast është shumë komplekse dhe përgjegjësia bie mbi Shërbimin Zjarrfikës që drejton operacionin”, u shpreh ai.
Laçi kritikoi gjithashtu menaxhimin e përgjithshëm të situatës në terren, duke e cilësuar si të çorganizuar dhe kaotik.
“Aty ishte një katrahurë, një rrëmujë që ndodh shpesh në ngjarje të tilla në Shqipëri dhe nuk menaxhohet siç duhet. Ka nevojë urgjente për ngritjen e një shkolle të mirëfilltë për Shërbimin Zjarrfikës dhe për largimin e ndikimit politik nga ky shërbim. Janë çështje teknike që duhet t’i zgjidhin specialistët”, përfundoi ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur zjarri pranë QSUT ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë në ndërtesa dhe eficiencën e reagimit të emergjencave në vend.














