Advertisement

Kryeministri dhe kryetari i Partia Socialiste e Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Partia Socialiste është forca politike që ka bërë më shumë se çdo parti tjetër për ish-të përndjekurit politikë dhe të burgosurit e regjimit komunist.

Gjatë aktivitetit të organizuar në Tiranë për 35-vjetorin e PS-së, Rama u shpreh se socialistët kanë qenë forca më antikomuniste në vend përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm deklaratave politike.

Reklame

“Po ju jap një shembull, i cili lidhet me dëmshpërblimin e të gjallëve të dalë nga burgjet e komunizmit. Nëse s’do të kishte PS në qeveri në 2013, të burgosurit e vërtetë politikë të dalë nga burgjet dhe që do ishin akoma gjallë, do kishin shkuar në atë botë pa marrë dëmshpërblimet, sepse honxhobonxhot kishin prishur radhën dhe kishin shkuar te të tretët”, tha Rama.

Batutë me Gramoz Ruçin dhe Partinë Demokratike

Në fjalën e tij, kryesocialisti nuk kurseu as humorin dhe ironinë politike, teksa iu drejtua ish-numrit dy të PS-së, Gramoz Ruçi.

“Nuk e di a ka qenë në planin tënd, Gramoz, që të shkatërroje PD-në duke çuar spiunët atje”, tha Rama mes të qeshurave të të pranishmëve.

Deklarata u bë në kuadër të reflektimeve për fillimet e pluralizmit politik në Shqipëri dhe historinë e tranzicionit pas rënies së regjimit komunist.

Festimet për 35-vjetorin e PS-së

Aktiviteti përvjetor mblodhi drejtues, themelues dhe mbështetës të Partisë Socialiste, të cilët rikujtuan rrugëtimin 35-vjeçar të kësaj force politike dhe objektivat e saj për të ardhmen.

Gjatë fjalimeve, drejtuesit socialistë vendosën theksin te integrimi europian, reformat e ndërmarra ndër vite dhe synimi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian.

Reklame