Një punonjës i Policisë së Shtetit dhe dy shtetas të tjerë kanë rënë në pranga në kuadër të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, të zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të hetimeve për goditjen e veprimtarive të paligjshme të basteve.
Në flagrancë u arrestua Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës. Ai dyshohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Gjatë kontrollit në banesën e efektivit, hetuesit gjetën dhe sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.
Po ashtu, AMP arrestoi edhe shtetasit Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, të dyshuar për organizim të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin dhe prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Çfarë u sekuestrua gjatë operacionit
Gjatë kontrolleve në ambientet e dyshuara për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm, AMP sekuestroi:
- 4 pajisje elektronike të dyshuara për organizimin e basteve;
- 2 serverë kompjuterikë;
- 1 pajisje DVR;
- lëndë narkotike të ndarë në 11 qese plastike, me peshë totale mbi 6.6 gramë;
- 3 telefona celularë.
Sipas AMP-së, hetimet do të vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal, për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, si dhe për të verifikuar nëse ka pasur favorizim ose mosveprim nga punonjës të tjerë të strukturave ligjzbatuese.
Në reagimin zyrtar, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se do të zbatojë tolerancë zero ndaj çdo punonjësi policie që përfshihet ose mbështet veprimtari të kundërligjshme, duke garantuar se askush nuk është mbi ligjin.
Lamallari reagon për akuzat për dhunë në polici: Pretendimet të pabazuara, nisin verifikimet nga AMP














