Seanca plenare e radhës në Kuvend është shoqëruar me tensione dhe mesazhe politike nga deputetët e opozitës, të cilët kanë zgjedhur një formë simbolike proteste brenda sallës së Parlamentit.

Që në nisje të seancës, teksa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po prezantonte rendin e ditës, deputetët e opozitës shpalosën pankarta me mesazhe të drejtuara ndaj qeverisë.

Reklame

Në pankartat e ngritura në sallë shkruhej: “CNN these people are no fake news!”, “O jari, kur do e japësh dorëheqjen?” dhe “Armiku i Shqipërisë është Edi Rama”.

Aksioni i opozitës vjen në një kohë kur prej 11 ditësh vijojnë protestat e qytetarëve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Protestuesit kanë artikuluar gjithashtu kritika ndaj klasës politike në tërësi, duke përdorur si slogan kryesor thirrjen: “Rama në burg, Berisha në burg”, një mesazh që synon të shprehë pakënaqësinë ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare ndër vite.

Shpalosja e pankartave në Kuvend shënon një tjetër episod të përplasjes politike mes mazhorancës dhe opozitës, në një periudhë të karakterizuar nga tensione të forta dhe protesta të vazhdueshme në vend.

Reklame