Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas debatit publik për financimin e koncertit të reperit Kanye West në Shqipëri, duke argumentuar se investimi prej 4 milionë eurosh është bërë për të shmangur anulimin e aktivitetit dhe për të garantuar përfitime të mëdha ekonomike dhe turistike për vendin.

Sipas Ramës, fondi është përdorur “në minutën e fundit” për të mos turpëruar Shqipërinë përballë rreth 25 mijë të huajve nga 80 shtete, të cilët, sipas tij, kishin blerë prej kohësh biletat për koncertin.

Reklame

Kreu i qeverisë thekson se eventi do të shërbejë si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar dhe se përfitimet ekonomike pritet të jenë shumë më të larta se shuma e investuar.”4 milionë euro në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete, për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë turistike dhe për të stimuluar ekonominë”, shkruan Rama.

Ai krahason ndikimin ekonomik të koncertit me finalen e Conference League, duke pretenduar se sipas vlerësimeve të qeverisë, koncerti mund të gjenerojë rreth 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare, ndërsa përmend edhe rritjen e rezervimeve në platformat e akomodimit si tregues të interesit të turistëve.

Rama sulmon ashpër kritikët e projektit, duke i cilësuar si “sorra dhe korba të kanaleve sociale”, të cilët sipas tij manipulojnë opinionin publik duke pretenduar se fondet e koncertit janë marrë në dëm të shërbimeve shëndetësore apo kategorive në nevojë.

Në reagimin e tij, ai kujton se qeveria ka miratuar së fundmi financime shtesë për ilaçet e pacientëve me kancer, aparaturat mjekësore, mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara, programet për startup-et dhe bonusin për pensionistët.

Në fund të mesazhit, kryeministri deklaron se, sipas tij, kundërshtarët politikë synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit.”Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht”, përfundon Rama.

Reagimi i tij ka ngjallur debat të gjerë në rrjetet sociale, ku komentuesit janë ndarë mes atyre që mbështesin investimin si një mundësi për promovimin e Shqipërisë dhe atyre që e konsiderojnë të pajustifikuar përdorimin e fondeve publike për organizimin e një koncerti.

Postimi i plote

4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;
për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.
Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.
Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.
U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.
Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?
Shumë e thjeshtë:
Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!
Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsht
Reklame