Advertisement

Mazhoranca “kalon përpara” opozitës: socialistët kërkojnë shumicën dhe drejtimin e Komisionit të Reformës Territoriale

Pas bojkotit të vazhdueshëm të Partisë Demokratike, Partia Socialiste ka vendosur të mos presë më opozitën dhe ka kërkuar që puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale dhe Administrative të vijojë pa prezencën e deputetëve të PD-së dhe pa paritet.

Reklame

Sipas burimeve parlamentare, socialistët kanë depozituar një kërkesë zyrtare për ndryshimin e përbërjes dhe mënyrës së funksionimit të komisionit, duke argumentuar se mungesat e përsëritura të opozitës kanë bllokuar procesin e reformës.

PS kërkon shumicën dhe drejtimin absolut të Komisionit

Kërkesa e PS-së, e cila pritet të shqyrtohet mesditën e sotme në Konferencën e Kryetarëve, parashikon:

Heqjen e paritetit në Komisionin e Posaçëm

Rritjen e numrit të anëtarëve socialistë

Marrjen e drejtimit të vetëm të komisionit nga PS

Sipas propozimit të ri, Komisioni do të përbëhet nga 17 anëtarë, ku:

9 anëtarë nga Partia Socialiste

6 anëtarë nga Partia Demokratike

1 anëtar nga Aleanca për Ndryshim

1 anëtar nga Partia e Lirisë

Në këtë mënyrë, socialistët sigurojnë shumicën vendimmarrëse, duke i hapur rrugë avancimit të reformës edhe pa dakordësinë e plotë të opozitës kryesore.

Fund bashkëdrejtimit, Mazniku kryetar

Një tjetër ndryshim thelbësor është heqja e bashkëdrejtimit të komisionit. PS kërkon që:

Arbian Mazniku të jetë kryetar i vetëm i Komisionit

Luçiano Boçi të kalojë në rolin e zëvendëskryetarit, duke humbur statusin e bashkëkryetarit

PS: Opozita po bllokon reformën, koha nuk pret

Në argumentimin e saj, PS thekson se që prej krijimit të Komisionit më 27 tetor 2025, nga 4 mbledhje të njoftuara, vetëm një është zhvilluar me pjesëmarrjen e plotë të opozitës.

Mazhoranca nënvizon se reforma administrative-territoriale është jetike dhe duhet të miratohet një vit përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në mënyrë që të ketë kohë për zbatimin e ndryshimeve ligjore dhe organizative.

Sipas PS-së, kjo reformë është gjithashtu një prioritet kyç i programit “Shqipëria 2030” dhe i procesit të integrimit europian, ndaj zvarritja nga bojkoti i opozitës konsiderohet e papranueshme.

Vendimi merret sot

Kërkesa e socialistëve pritet të shqyrtohet dhe diskutohet sot në Konferencën e Kryetarëve, një vendimmarrje që mund të sjellë përplasje të reja politike dhe të thellojë ndarjen mes mazhorancës dhe opozitës në prag të reformës më të debatueshme territoriale.

Reklame