Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, lexoi në seancën plenare të Kuvendit raportin e shumicës parlamentare kundër kërkesës së Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Manja deklaroi se pretendimet e SPAK janë hipotetike dhe të pabazuara në prova apo fakte konkrete, duke theksuar se situata ka ndryshuar pasi Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.
Sipas tij, kjo e bën të pavlefshme edhe argumentin për rrezikun e prishjes së provave apo ndikimit në hetim.
“Në momentin që paraqitëm raportin tonë, ka ndodhur një realitet i ri juridik. Deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. Për rrjedhojë, masa e sigurimit personal, ajo e pezullimit nga detyra, nuk prodhon më asnjë efekt”, u shpreh Manja.
Ai theksoi se në kërkesën e SPAK argumentet për rrezikun e prishjes së provave apo arratisjes janë vetëm hipotetike dhe lidhen me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, detyrë që sipas tij Balluku nuk e mban më.
Manja deklaroi gjithashtu se Kuvendi nuk duhet ta shndërrojë këtë çështje në një gjykim publik, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe ndarjes së pushteteve.
“Kuvendi duhet të ndajë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor. Ne nuk kemi kompetencë të gjykojmë fajësinë”, tha ai.
Sipas Manjës, vendimmarrja e Kuvendit në këtë rast prek jo vetëm lirinë personale të një deputeti, por edhe balancën mes pushteteve dhe funksionimin e sistemit kushtetues.














