Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve kanë shkaktuar debate edhe në Komisionin e Bujqësisë. Deputeti demokrat Xhelal Mziu kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike, ndërsa kryetari socialist i komisionit, Blendi Klosi, këmbënguli që mbledhja të vijonte me shqyrtimin e projektligjeve që lidhen me integrimin europian.
Gjatë diskutimeve, Mziu e përshkroi situatën në vend si një “gjendje lufte”, duke argumentuar se studentët kanë lënë auditorët për t’iu bashkuar protestave dhe se kërkesa e tyre kryesore është largimi i kryeministrit.
“Shqipëria si në gjendje lufte, studentët nuk janë në auditorë, por në shesh. Studentët kanë një kërkesë, dorëheqjen e Ramës, krijimin e një qeverie teknike”, deklaroi deputeti demokrat.
Klosi: Diskutimet politike do të bëhen në seancë plenare
Kryetari i Komisionit të Bujqësisë, Blendi Klosi, iu përgjigj Mziut duke theksuar se debatet politike do të zhvillohen në seancën plenare, ndërsa komisioni duhet të vijojë punën për legjislacionin e nevojshëm në kuadër të integrimit europian.
“Diskutimet politike do jenë pasnesër në seancë. Ne do të jemi këtu të përgjegjshëm për të vijuar legjislacionin e nevojshëm në kuadër të integrimit”, u shpreh Klosi.
Ai tha se mazhoranca do të kishte dashur të dëgjonte edhe qëndrimin e opozitës për projektligjet që po shqyrtohen, por e cilësoi mungesën e saj në këtë diskutim si një vendim politik.
Debati në Komisionin e Bujqësisë vjen në ditën e 15-të të protestave, të cilat kanë sjellë përplasje politike edhe në komisione të tjera parlamentare, ku opozita kërkon ndryshime politike, ndërsa mazhoranca këmbëngul në vijimin e punës parlamentare.
Lexo edhe
Arresti i kreut të SHISH/ Përplasje te “Ligjet”, Bylykbashi: “Ka rënë shteti”
“Dialog me dhunën nuk ka”/ Balla: Ligji për tubimet do të ndryshojë me akt normativ














