Qeveria propozon ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, si pjesë e paketës fiskale për vitin 2027. Projektndryshimet parashikojnë krijimin e një fashoje të re tatimore prej 32% për të ardhurat vjetore nga punësimi mbi 8.04 milionë lekë, ose mbi 670 mijë lekë në muaj.
Sipas ndryshimeve të propozuara në nenin 24, të ardhurat e tatueshme nga punësimi do të ndahen në tri fasha, me norma progresive prej 13%, 23% dhe 32%.
Fashat e propozuara për vitin 2027:
- 13% për të ardhurat vjetore nga 0 deri në 3.24 milionë lekë.
- 23% për të ardhurat nga 3.24 milionë deri në 8.04 milionë lekë në vit.
- 32% për të ardhurat vjetore mbi 8.04 milionë lekë.
Aktualisht, sipas dispozitës që propozohet të ndryshohet, tatimi mbi të ardhurat nga punësimi zbatohet me dy norma: 13% për bazën tatimore deri në 2.04 milionë lekë në vit dhe 23% për të ardhurat mbi këtë nivel.
Ndryshimi i propozuar sjell rritjen e pragut të fashës së parë dhe shton një normë të tretë për të ardhurat më të larta. Megjithatë, norma prej 32% lidhet me pjesën e të ardhurave që kalon kufirin prej 8.04 milionë lekësh në vit, sipas skemës progresive të propozuar, dhe jo domosdoshmërisht me të gjithë pagën.
Ndryshimet janë pjesë e paketës fiskale për vitin 2027. Efekti përfundimtar do të varet nga miratimi i dispozitave dhe formulimi përfundimtar i ligjit.
Lexo edhe
Xhixho: Qeveria uli TVSH-në nga frika e protestave, jo se i do shqiptarët














