Advertisement

Nga Eva Gjura

Unë nuk e dua Bledi Manen dhe as nuk marr përsipër t’i bëj avokatin mbrojtës. Ai është aq i zoti sa t’ua kthejë përgjigjen të gjithëve, madje shumë herë edhe e tepron me ato që thotë. Por ajo që ndodhi dje ndaj tij nga disa protestues ishte e patolerueshme.
Bledi Mane është qytetar i lirë i këtij vendi, njësoj si ata që protestojnë në shesh për të shprehur mendimin e tyre, për të mbështetur politikisht kë të duan dhe për t’i bërë “fresk” kujt të duan.
Por askush nuk të jep të drejtën të dalësh në rrugë dhe t’i hedhësh vezë një personi, e aq më pak ta prekësh, ta shtysh apo ta shash vetëm sepse ka një mendim ndryshe nga i yti.
Në një vend publik, një grup njerëzish që ti nuk i njeh fare mund të të vërë gishtin, të të shtyjë dhe të të shajë, pa u bërë ti asgjë, thjesht sepse mendon ndryshe. Çfarë lloj proteste është kjo?
Dhe jam kurioze të di se si do të ndihej ajo zonjushë që, me një telefon në dorë, del dhe shan e ofendon këdo që i del përpara, nëse nesër një grup njerëzish do t’i bënte të njëjtën gjë asaj, në një nga rrugët e Tiranës, kur të ishte vetëm. Çfarë do të thoshte atëherë?
Sigurisht, nuk do të më vinte mirë as për të. Por, nga ana ime, një shprehje thotë: “Kush fle me pula, gdhihet me pleshta.” Ndaj një skenë e tillë nuk do të më habiste.
Por kjo nuk është protestë.
Nuk e kuptoj se ku duan të dalin me këto reagime.

Reklame

Për të fituar diçka, u kuptua se nuk u fitua asgjë. Përkundrazi, pamë se si një protestë që mund të kishte një mesazh politik u zhvendos te një skenë dhune dhe përplasjeje me një individ, me mediat dhe me këdo që nuk ndante të njëjtin mendim me ta.
Dhe kjo është e rëndë.
Sepse kur një protestë fillon të humbasë mesazhin e saj dhe shndërrohet në denigrim, sharje, shtyrje apo sulm ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe, ajo rrezikon të humbasë edhe mbështetjen e atyre që mund të kenë dalë në rrugë për një kauzë.
Nuk rrezohet qeveria duke shtyrë Bledi Manen. Nuk rrezohet duke sharë Zegjinenë, e cila, pavarësisht mendimit që mund të kemi për të, nuk është përgjegjëse për faktin që ndodhet aty. Ajo ka bërë karrierën e saj dhe ka arritur një pozicion që ndoshta nuk e kishte imagjinuar as në ëndrrat më të bukura. Përgjegjësia politike për përzgjedhjen e saj u takon atyre që e vendosën në listë dhe e sollën në Parlament.
Dhe këtu është problemi që duhet ta pranojmë.
Duke heshtur ndër vite, kemi pranuar që në Kuvend të ketë njerëz për të cilët kemi pasur vazhdimisht kritika për aftësitë dhe përfaqësimin e tyre. Kemi pranuar drejtues institucionesh që janë ngritur në detyrë pa përvojën që do të duhej të kishin dhe kemi parë ministra e zyrtarë të akuzohen publikisht për lidhje me korrupsionin apo krimin.
Pastaj ankohemi për atë që vetë kemi lejuar të ndërtohet.
Dhe kjo nuk është vetëm një histori e politikës. Është edhe një pasqyrë e shoqërisë sonë.
Duam apo nuk duam, ky është një realitet me të cilin duhet të përballemi. Prandaj nuk duhet të habitemi kur pasojat e një kulture të tillë shfaqen edhe në një protestë.
Atë që kemi mbjellë për vite me radhë, po e korrim sot. Dhe kur vjen momenti i korrjes, kuptojmë se hambarët i kemi bosh.
Kjo është pjesa më e trishtë e gjithë kësaj historie.
Sepse qëllimi i një proteste nuk duhet të jetë të denigrojmë njëri-tjetrin, të pështyjmë, të shtyjmë apo të shajmë. Qëllimi duhet të jetë të kundërshtojmë politikat dhe përgjegjësit e tyre, të kërkojmë llogari dhe të artikulojmë qartë atë që duam të ndryshojë.
Nëse synimi është ndryshimi politik, atëherë mesazhi duhet të jetë më i fortë se zemërimi.
Qeveritë nuk rrëzohen duke sulmuar qytetarët. Ato përballen politikisht, institucionalisht dhe qytetarisht.

 

Lexo edhe

Sulmi ndaj Bledi Manes/ Policia nis hetimet: “Protesta nuk mund të përdoret për të sulmuar qytetarë”

Zjarr i përmasave të mëdha në krah të autostradës Thumanë-Kashar. Tymi dhe flakët mbulojnë zonën

 

Reklame