Advertisement

Demokratja Alesia Balliu ka reaguar ashpër ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi ky i fundit e akuzoi se ka bërë fushatë për parti të tjera dhe ka bashkëpunuar me qeverinë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balliu i kërkon Berishës të mos ua faturojë demokratëve të thjeshtë atë që, sipas saj, ai dhe familjarët e tij bëjnë me kryeministrin Edi Rama.

Reklame

Ajo ka ngritur një sërë pyetjesh publike ndaj Berishës, duke vënë theksin tek rënia drastike e votave të Partisë Demokratike që prej vitit 2021 dhe dështimi për bashkimin e opozitës.

“Si ka mundësi që biznesmenët që punonin me ty, punojnë edhe me Ramën? Si ka mundësi që PD-ja është minus 300 mijë vota që nga viti 2021? Pse nuk arritët ta bashkoni partinë?”, shkruan Balliu.

Në reagimin e saj, demokratja i rikujton Berishës edhe shpalljen “non grata” nga SHBA, duke pyetur pse kjo masë nuk është hequr ende.

“Sali, kthe përgjigje pse SHBA-ja nuk po ta heq damkën e ‘non grata’-s”, vijon ajo.

Në fund, Balliu përdor tone të forta, duke deklaruar se Berisha nuk e kontrollon më Partinë Demokratike dhe se selia blu është kthyer në një grup të mbyllur interesi.

“Sali frikacaku, nuk pres më përgjigje nga ty, sepse ti nuk e kontrollon më atë parti; ajo është kthyer në një klikë”, përfundon reagimi i saj.

 

Reklame