Policia e Shtetit ka nisur hetimet për incidentin e ndodhur më 5 tetor në Tiranë, ku gazetari Bledi Mane u sulmua me vezë nga një grup protestuesish.

Sipas Policisë, strukturat përkatëse po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për ta referuar çështjen pranë Prokurorisë.

Reklame

Në reagimin zyrtar, Policia e Shtetit thekson se e drejta kushtetuese për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar persona të tjerë për shkak të mendimeve apo bindjeve të tyre.

Policia: Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta

Policia deklaron se dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve.

“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit”, thuhet në reagim.

Sipas Policisë, qytetarët duhet të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë.

Strukturat e Policisë u bëjnë thirrje personave që ndihen të kërcënuar apo të kanosur t’u drejtohen institucioneve përkatëse, duke theksuar se çdo kallëzim do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Në përfundim, Policia e Shtetit thekson se do të mbrojë njësoj si qytetarin që proteston, ashtu edhe atë që ka bindje të ndryshme.

“Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, thuhet në reagimin zyrtar.

Lexo edhe

Francë/ Përshkallëzohet protesta e nxënësve, 400 shkolla të mbyllura

Protesta në Prishtinë/ Organizatori ultimatum deputetëve: “Votojeni ose dilni në zgjedhje me vulën e turpit”

Reklame