Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku kanë arritur marrëveshjen për presidentin. Ata janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut.

Abdixhiku ka thënë se nga data 9 korrik kanë nisur takimet e vazhdueshme për diskutimet rreth stabilitetit institucional.

Reklame

Ka thënë se kanë qenë të vendosur për të gjetur zgjidhje për të ecur përpara.

Ai ka thënë se bisedimet nuk ishin të lehta por shteruese. Abdixhiku ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për emrin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit.

“Nga data 9 korrik kemi nisur dhe zhvilluar diskutimet. Kemi qenë të vendosur të gjejmë zgjidhje për të ecur përpara dhe të evitojmë zgjedhjet. Bisedimet nuk ishin të lehta, por ishin shteruese. Kemi pasur bisedime të vazhdueshme. Kemi qenë të përkushtuar për një emër konsensual. Janë përmendur shumë emra që kanë dhënë kontribut dhe që kanë vlera demokratike e qytetare. Gjatë diskutimeve tona jemi dakorduar për një emër, Bekim Sejdiu”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sejdiu: Jam në shërbim të qytetarëve dhe shtetit

TYM I BARDHË NË PRISHTINË/ LVV dhe LDK bien dakord që Bekim

Bekim Sejdiu, emri konsensual i propozuar për kandidat për president të Kosovës, ka deklaruar se e ka pranuar propozimin.

“Kjo më bën mua të jem i nderuar. Është besim i madh dhe nder i madh. Unë e kam pranuar këtë propozim. Duke qenë i vetëdijshëm edhe me barrën që e sjell pozita e presidentit, jam vënë në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë që të shërbej me devotshmëri. Procesi i zgjedhjes së presidentit ka një aspekt politik dhe procedurë kushtetuese në Kuvend”, ka deklaruar Bekim Sejdiu.

Kush është Bekim Sejdiu, emri që po përflitet për president?

Bekim Sejdiu, i lindur në vitin 1974, ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi. Ai ka shërbyer si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga prilli i vitit 2015 deri në vitin 2021, kur dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë edhe vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu ka shërbyer në diplomaci. Ai ka qenë ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012, ndërsa më pas ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.

Para emërimit si ambasador, Sejdiu ka qenë këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Ai është gjithashtu profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002.

Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka kryer edhe studime pasuniversitare në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.

Çështja e zgjedhjes së presidentit është e hapur që nga prilli i vitit 2026, kur përfundoi mandati i ish-presidentes Vjosa Osmani. Që nga ajo kohë, detyrën e ushtrueses së presidentes e mban Albulena Haxhiu.

Për zgjedhjen e presidentit në Kuvend kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Në dy rundet e para të votimit, kandidati duhet të marrë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 80 vota.

Në rundin e tretë, presidenti zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, pra me së paku 61 vota.

Lexo edhe

Kriza politike në Kosovë/ Konjufca: LVV i ka emrat, mundësitë janë të mëdha për zgjedhjen e Presidentit

Lapsusi në Presidencën e Kosovës: Komunikata zyrtare publikohet me “përgjigjen” e ChatGPT

Reklame