Policia greke ka arrestuar dy vëllezër shqiptarë, Blerim Buci (41 vjeç) dhe Besmir Buci (32 vjeç), të dyshuar si autorë të shpërthimit me eksploziv në diskotekën “Jacky.O” në Athinë, ngjarje e ndodhur më 7 tetor 2025.
Sipas mediave greke, dy vëllezërit rezultojnë me precedentë penalë dhe ndodheshin nën hetim për vepra të tjera penale. Në kuadër të të njëjtit operacion është arrestuar edhe një bashkëpunëtor grek, 44 vjeç, i cili dyshohet se u ka siguruar automjetin e përdorur për mbërritjen në vendngjarje dhe vendosjen e pajisjes shpërthyese jashtë klubit të natës.
Nga hetimet rezulton se Besmir Buci parkoi automjetin pranë diskotekës dhe, pas një veprimi të shpejtë, aktivizoi pajisjen shpërthyese, ndërsa u largua menjëherë me ndihmën e vëllait të tij Blerimit, i cili e priste në automjet.
Gjatë operacionit të ndalimit, policia sekuestroi një sërë provash materiale, përfshirë një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi, veshje të përdorura gjatë veprës kriminale si dhe automjetin e përdorur.
Një nga të arrestuarit ka pranuar se një çift i kishte paguar 5,000 euro për vendosjen e bombës, e cila kishte si qëllim dërgimin e një “mesazhi paralajmërues” ndaj pronarit të diskotekës, pasi ky i fundit kishte refuzuar t’i nënshtrohej shantazhit.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit kriminal.














