Ka makina që i përkasin një epoke. Dhe ka të tjera që, edhe pas më shumë se një dekade, arrijnë të imponohen me të njëjtin autoritet sapo ndizet motori. Një prej tyre është Red Bull RB7, njëvendëshja legjendare me të cilën Red Bull Racing dominoi sezonin 2011 në Formula 1.

Këtë fundjavë, RB7 “hyri në aksion” në San Francisco, në një event demonstrues që festonte të kaluarën fituese të skuadrës austriake. Në timon ishte Yuki Tsunoda, i cili u rikthye pas muajsh larg vëmendjes mediatike për të drejtuar një nga makinat më ikonike të epokës moderne.

Reklame

RB7 nuk është një njëvendëshe çfarëdo. Me motorin e saj V8, ajo shënoi kulmin e një revolucioni teknik dhe sportiv për Red Bull, duke hapur një cikël dominimi në Formula 1. Rishfaqja e saj në SHBA, me zhurmën karakteristike të motorit atmosferik, elektrizoi publikun amerikan, i cili shijoi nga afër një copëz historie të garave.

Tsunoda realizoi disa xhiro demonstrative, duke dhuruar edhe momente spektakolare me tym gomash, në stilin klasik të show-run-eve që organizon Red Bull në qytete të ndryshme të botës.

Por në sekondat e fundit të shfaqjes, spektakli mori një kthesë të papritur. Ndërsa Tsunoda tentoi të mbyllte performancën me një rrotullim të kontrolluar, përveç reve të tymit nga gomat, në pjesën e pasme të makinës u panë flakë.

Motori i RB7 mori zjarr për pak çaste, duke krijuar tension mes të pranishmëve. Piloti japonez reagoi menjëherë, duke dalë nga makina pa u lënduar, ndërsa ekipet e sigurisë ndërhynë me shpejtësi për të neutralizuar flakët.

Fatmirësisht, episodi nuk pati pasoja për Tsunodën dhe nuk u raportuan dëme në persona apo infrastrukturë. Megjithatë, makina historike e titullit botëror do të duhet t’i nënshtrohet riparimeve përpara se të rikthehet sërish në skenë.

Një kujtesë e fortë se edhe legjendat, sado të lavdishme, mbeten makina – dhe se adrenalina e Formula 1 nuk shuhet kurrë plotësisht.

Reklame