Inxhinieri dhe eksperti mjedisor Abdulla Diku ka sjellë në vëmendje modelin e ndërtimit të autostradës Autostrada Arbën Xhaferi, si një shembull të vizionit afatgjatë inxhinierik në Kosovë, duke e krahasuar me problematikat e vazhdueshme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri.
Sipas Dikës, në Grykën e Kaçanikut, mbi lumin Lepenc, u ndërtua një varg viaduktesh prej afro 6 kilometrash, duke e “ngritur” autostradën në ajër për të shmangur copëtimin e malit dhe destabilizimin e shpateve. Kjo zgjidhje, sipas tij, minimizoi ndikimin mjedisor dhe uli rrezikun e rrëshqitjeve apo përmbytjeve.
Autostrada, pjesë e aksit Prishtinë–Shkup, u projektua me kthesa të buta dhe pjerrësi të kontrolluar, duke përmbushur standarde të mirëfillta evropiane. Edhe pse kostoja ishte e lartë – rreth 10 milionë euro për kilometër – eksperti thekson se investimi garanton siguri, funksionalitet afatgjatë dhe kosto më të ulëta mirëmbajtjeje në të ardhmen.
Në kontrast, Diku përmend situatën në Shqipëri, ku segmente të rëndësishme, si aksi Librazhd–Pogradec, janë përballur me rrëshqitje dhe bllokime të përsëritura. Sipas tij, projektet shpesh nuk parashikojnë rreziqet gjeologjike, duke sjellë ndërprerje qarkullimi dhe izolim të komuniteteve.
“Ura nuk është vetëm një vepër infrastrukturore, por një shembull se si inxhinieria mund të bashkëjetojë me natyrën,” thekson Diku, duke e konsideruar modelin e Kaçanikut si një rast studimi për rajonin.
Postimi:
Në grykën e famshme të Kaçanikut, mbi lumin Lepenc është ndërtuar një ndër urat më të gjata në rajon, pjesë e autostradës Prishtinë-Shkup.
Terreni i ashpër, i pjerrët dhe lugina e ngushtë, nuk garantonin aspak hapësirë për ndërtim autostrade aty. Në vend që të coptohej mali dhe të rrezikohej stabiliteti i shpateve, inxhinierët bënë një zgjidhje më të zgjuar: ta “ngrenë” autostradën në ajër.
Kështu u ngrit ura – një varg i gjatë viaduktesh prej afro 6000 metra, që qëndrojnë mbi kolona të larta betoni, duke kaluar mbi lumin, mbi shpatet e paqëndrueshme dhe mbi gjithë pengesat natyrore të zonës. Po ashtu, ndikimi mjedisor i ndërtimit mbi lum ishte minimal. Në këtë mënyrë, autostrada shmang rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve, duke mbetur e sigurt dhe funksionale në çdo kohë.
Por nuk ishte vetëm çështje sigurie. Autostrada kërkon një rrugë të drejtë, me kthesa të buta dhe pjerrësi të kontrolluar, diçka që terreni i Kaçanikut nuk e ofronte natyrshëm. Duke e ndërtuar në ajër, u bë e mundur krijimi i një rruge moderne, të shpejtë dhe të qetë për udhëtarët.
Edhe pse ndërtimi i saj ishte i kushtueshëm, kjo zgjidhje shmang ndërhyrje të mëdha në natyrë dhe ul kostot e mirëmbajtjes në të ardhmen. Në fund, ura nuk është vetëm një vepër infrastrukturore, por një shembull se si inxhinieria mund të bashkëjetojë me natyrën, duke mos e sfiduar atë, por duke gjetur mënyrën për ta kapërcyer me mençuri.
Lumi dhe mali nuk u cënuan, por “mirëpritën” urën në gjirin e tyre.
Sot kjo është rrugë me standarte të mirëfillta evropiane.
Kosto e ndërtimit?!
10 milion Euro për 1 km














