Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, e cila zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Për shkak të fluksit të tifozëve dhe për të lehtësuar qarkullimin në kryeqytet, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes do të ketë kufizime të qarkullimit në disa akse pranë stadiumit.
Ja rrugët që do të bllokohen
Sipas planit të Policisë, kufizimet do të aplikohen në këto segmente:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, e cila do të shërbejë si korridor hyrjeje për parkimin e mjeteve të autorizuara nga FSHF;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
- Sheshi “Wilson”, ku lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”, pak para përfundimit të ndeshjes.
Tre akse do të jenë të lira
Policia bën me dije se Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.
Kontroll i imtësishëm i tifozëve
Në kuadër të masave të sigurisë, tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve para hyrjes në stadium.
Policia synon të parandalojë futjen e sendeve dhe materialeve të ndaluara, përfshirë banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike, monedha metalike, çadra, çakmakë, karikues celularësh dhe sende të tjera të forta ose të rrezikshme.
Policia: Tifozët të paraqiten që në orën 18:30
Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi i madh para nisjes së ndeshjes mund të krijojë vonesa dhe t’u vështirësojë hyrjen në stadium.
Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv janë angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të kujdesen për rendin, sigurinë publike dhe menaxhimin e qarkullimit gjatë gjithë aktivitetit.
Ndeshja Shqipëri-Bjellorusi nis në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.
lexo edhe
Shqipëria pret sot Bjellorusinë në ‘Air Albania’, Maran nis aventurën me kuqezinjtë
Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, taksia përplaset me autobusin me mësues, 3 të plagosura














