Prurjet e shtuara të lumit Devoll kanë shkaktuar përmbytjen e disa mjeteve të një firme ndërtimi që po punonin pranë fshatit Moglicë. Mjetet e rënda, kryesisht ekskavatorë, prej ditësh ishin angazhuar në ndërtimin dhe forcimin e argjinaturës mbajtëse të lumit, me qëllim mbrojtjen e tokave bujqësore të zonës.
Gazetari Shkëlzen Henkoha raportoi se situata është përkeqësuar në orët e para të mëngjesit, kur niveli i ujit është rritur me shpejtësi për shkak të reshjeve të dendura, si dhe hapjes së njërës prej portave të liqenit për të ulur nivelin e tij. Rritja e menjëhershme e prurjeve ka bërë që mjetet të mbulohen nga uji, duke i zënë ekipet e punës të papërgatitura.
Autoritetet ndodhen në terren dhe po vlerësojnë dëmet, ndërsa situata vijon të jetë e paqëndrueshme për shkak të luhatjeve të vazhdueshme të nivelit të ujit.














