Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres se Infrastrukturës.

Pas seancës që zgjati më shumë se 5 orë GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për Ballukun dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, për të cilët është lënë në fuqi masa e arrestit shtëpiak.

3 të pandehurit kanë dalë nga ambientet e GJKKO, pa dhënë asnjë deklaratë për mediat.

Reklame

Me vendim të datës 20 Nëntor, ndaj Belinda Ballukut u caktuan masat e sigurisë të pezullimit nga detyra dhe ndalimit për daljen jashtë shtetit.

Ndërsa ndaj administratorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli u caktua masë “arrest shtëpie”.

Zv.kryeministrja e pezulluar, përveç tunelit të Llogarasë, është nën hetim edhe për tenderin abuziv në Unazën e Madhe.

SPAK sqaroi se, ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Seanca nisi rreth orës 09:00, por u ndërpre për dy orë. Gjatë kësaj kohe, Belinda Balluku u largua nga GJKKO për t’u rikthyer sërish më vonë.

Gjyqi u zhvillua për marrjen në pyetje të 3 të pandehurve, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit Belinda Ballukun, Gentian Gjylin e Erald Elezin.

 

Reklame