Advertisement

Partia Socialiste kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Në fokus do të jenë kompetencat e bashkive, financat vendore dhe rishikimi i kuadrit ligjor, me synimin që ndryshimet të jenë gati për funksionimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me kërkesën për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.

Reklame

Pas përfundimit të punës së komisionit të fazës së parë dhe miratimit të ndarjes së re territoriale, mazhoranca synon ta shtrijë reformën përtej ndryshimit të hartës së bashkive. Fokusi i kësaj faze do të jetë mënyra se si funksionon qeverisja vendore, shërbimet që u ofrohen qytetarëve, financimi i bashkive dhe organizimi i zhvillimit rajonal.

Kompetencat e bashkive dhe shërbimet publike në fokus

Sipas kërkesës së socialistëve, një prej objektivave kryesore të komisionit do të jetë rishikimi i kuadrit ligjor për vetëqeverisjen vendore, me synimin për të forcuar kompetencat e bashkive dhe për të përcaktuar standarde minimale për shërbimet publike.

Pjesë e procesit do të jetë edhe shqyrtimi i ndryshimeve të nevojshme në legjislacionin që rregullon funksionimin e pushtetit vendor. Qëllimi i deklaruar është krijimi i një modeli më funksional dhe të qëndrueshëm të qeverisjes vendore, ku përgjegjësitë e bashkive të shoqërohen me kapacitete dhe burime të përshtatshme financiare.

Një tjetër çështje e rëndësishme është reformimi i financave vendore. Në këtë drejtim, parashikohet forcimi i decentralizimit fiskal dhe hartimi i një formule të re për transfertën e pakushtëzuar, duke marrë në konsideratë të dhënat e Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023.

Synohet një nivel rajonal funksional

Në objektivat e fazës së dytë përfshihet edhe krijimi i një niveli rajonal funksional, në përputhje me politikat e kohezionit dhe kërkesat që lidhen me përfitimin dhe administrimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Sipas nismës, reforma duhet të jetë në përputhje me legjislacionin europian dhe parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore. Për këtë arsye, procesi parashikon bashkëpunimin me institucionet shtetërore, bashkitë, shoqatat përfaqësuese të tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Pranë komisionit parashikohet gjithashtu ngritja e një grupi ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe funksionimi i një sekretariati teknik që do të mbështesë punën e tij.

Komisioni me 16 anëtarë, mandat nëntëmujor

Sipas propozimit të paraqitur, Komisioni i Posaçëm do të përbëhet nga 16 anëtarë, të përfaqësuar sipas grupeve parlamentare. Mandati i tij parashikohet të jetë nëntë muaj, me mundësi zgjatjeje me vendim të Kuvendit.

Detyrat e komisionit do të përfshijnë shqyrtimin e ndryshimeve në ligjet për vetëqeverisjen vendore, financat vendore dhe zhvillimin rajonal, si dhe ndjekjen e masave kalimtare të nevojshme për ngritjen dhe funksionimin e bashkive të reja.

Afati kohor është një prej elementeve kryesore të nismës. Sipas kërkesës, ndryshimet ligjore duhet të përgatiten në kohë që bashkitë e reja të mund të funksionojnë pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

PD kundër pjesëmarrjes në komision

Nisma e re vjen pas debateve politike për reformën administrativo-territoriale dhe miratimit të hartës së re të bashkive. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e këtij komisioni, duke argumentuar se kërkesat e opozitës gjatë punës së komisionit të mëparshëm nuk u morën parasysh nga mazhoranca.

Mungesa e opozitës në një proces që synon të ndryshojë funksionimin e pushtetit vendor ngre pikëpyetje mbi mundësinë e arritjes së një konsensusi politik për reformën.

Ndërsa Partia Socialiste e paraqet fazën e dytë si një proces për forcimin e shërbimeve, financave dhe kompetencave të bashkive, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet konsultimi me aktorët vendorë dhe në çfarë mase do të përfshihen qëndrimet e opozitës.

Reforma e re nuk do të kufizohet vetëm te numri dhe kufijtë e bashkive, por synon të përcaktojë edhe mënyrën se si ato do të funksionojnë, financohen dhe ofrojnë shërbime për qytetarët.

Lexo edhe

“Votuan si dele”! Ina Zhupa shpërthen ndaj socialistëve pas miratimit të reformës territoriale

Berisha shpërthen pas votimit të reformës territoriale: “Shkelmuan interesat e qytetarëve të 15 bashkive”

Reklame