Advertisement

Hyrja në Tiranë për ata që vijnë nga Veriu do të ndryshojë rrënjësisht, duke shënuar fundin e makthit të gjatë të trafikut në qendër të Kamzës dhe në kthesën e Laprakës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hedhur hapat e parë zyrtarë për ndërtimin e një Hyrjeje të Re Veriore, një aks strategjik prej rreth 17 kilometrash që do të devijojë të gjithë fluksin e mjeteve tranzit drejtpërdrejt në Unazën e Madhe të kryeqytetit.

Reklame

Projekti i ri, i cili parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit përgjatë viteve 2026-2028 me një fond limit fillestar prej 1.8 milionë euro vetëm për fazën e projektimit, do të ndryshojë përfundimisht hartën e lëvizjes në hyrje të Tiranës.

Si do të ndryshojë udhëtimi nga Veriu?

Deri më sot, çdo mjet që vinte nga Shkodra, Lezha apo Kukësi, detyrohej të përshkonte qendrën e Kamzës dhe të bllokohej në Kthesën e Kamzës. Me aksin e ri, ky itinerar fshihet.

Rruga e re do të funksionojë si një rrugë ndërurbane kryesore me katër korsi dhe do të ndjekë këtë gjurmë të re:

• Nisja: Mjetet që vijnë nga autostrada Thumanë–Kashar do të devijojnë menjëherë në pjesën jugore të nyjes së Rinasit (Km 0+000).

• Traseja: Rruga do të kalojë në periferi përmes fushave të Valiasit dhe Zallherrit (pranë Repartit Ushtarak), duke anashkaluar plotësisht zonën e banuar dhe qendrën e Kamzës.

• Përfundimi: Aksi i ri do të dalë direkt në Paskuqan, duke u lidhur organikisht me Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Lidhje direkte me Elbasanin dhe Korridorin VIII

Përveç shmangies së Kamzës, ky ndryshim sjell një avantazh të madh për mjetet që kanë destinacion juglindjen e vendit.

Shoferët që vijnë nga Veriu mund të futen në Unazën e Madhe në Paskuqan dhe të dalin direkt në autostradën Tiranë–Elbasan (Korridori VIII) pa u ndalur në asnjë semafor dhe pa hyrë fare në rrugët e brendshme të Tiranës.

Sipas Termave të Referencës të ARRSH-së, kompanitë projektuese kanë një afat prej 10 muajsh për hartimin e Projekt-Idesë (ku do të shqyrtohen dy variante të gjurmës) dhe 8 muaj të tjerë për Projekt-Zbatimin e detajuar.

Pas miratimit të raporteve të shpronësimeve dhe Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), projekti do të hapet për tenderimin e punimeve në terren./Kapitali.al

Lexo edhe

Këlliçi: Fito tender, merr miliona, bë reportazh dhe lepiju pushtetit – kjo është Unaza e Madhe sipas Carlo Bollinos

Skandal/ Shembet Unaza e Burrelit pa u marrë në dorëzim nga ARRSH, “ULZA” shpk përfitoi tenderin 1.3 mln euro

Reklame