Advertisement

Pamjet ekskluzive të siguruara nga “shteg.org” zbulojnë detaje tronditëse nga atentati mafioz i ndodhur vetëm pak metra larg aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në një nga zonat më të sigurta të vendit.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e së martës, më 11 nëntor 2025, dhe ka zgjatur më pak se një minutë.

Sipas pamjeve, në një zonë të mbikëqyrur nga dhjetëra kamera sigurie dhe e patrulluar nga forca policore, është ekzekutuar Gilmando Dani, emër i njohur për lidhjet e tij me figura të botës së krimit.

Reklame

Vetëm dy minuta pas atentatit, një autokolonë me 4 makina të një delegacioni zyrtar ka kaluar pikërisht pranë vendit të ngjarjes.

Policia e Tiranës njoftoi se atentati ndodhi rreth orës 14:20, kur persona ende të paidentifikuar hapën zjarr me breshëri kallashnikovi ndaj makinës ku ndodhej shënjestra, e sapoardhur nga Spanja.

Pamjet tregojnë se ndaj automjetit është qëlluar në tre momente të ndryshme, ndërsa autorët, të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, e kanë ndaluar mjetin dhe kanë vijuar të qëllojnë në drejtim të Gilmando Danit, i cili ishte ulur në sediljen e pasagjerit.

Njëri prej autorëve shihet teksa zbrit nga makina, rimbush armën dhe qëllon sërish nga afër, përpara se të largohet në drejtim të Fushë-Krujës.
Kalimtarë të rastit janë afruar menjëherë për të ndihmuar personat brenda mjetit.

Në vendngjarje u gjet i pajetë Gilmando Dani, 47 vjeç, ndërsa shoferi, Muçi Shaljani, që më vonë rezultoi të ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u nxor nga makina me shenja jete.

Policia vijon hetimet për identifikimin e autorëve, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik, duke ngritur pyetje serioze mbi sigurinë publike dhe efikasitetin e strukturave të rendit, për shkak se atentati u krye në një zonë që konsiderohet më e mbrojtura në vend — pranë hyrjes së aeroportit kryesor të Shqipërisë.

Reklame