Qarkullimi i automjeteve në aksin nga Tuneli i Krrabës drejt Librazhdit është rënduar ndjeshëm këtë të shtunë (14 shkurt), duke krijuar radhë të gjata mjetesh dhe vonesa për drejtuesit e automjeteve.

Fluksi i lartë i lëvizjeve, i kombinuar me ndërhyrje të herëpashershme në rrugë, ka sjellë vështirësi në qarkullim në këtë segment të rëndësishëm të rrugës kombëtare që lidh kryeqytetin me Juglindjen e vendit. Si çdo fundjavë, edhe këtë të shtunë që prej paradites është regjistruar trafik i dendur.

Reklame

Situata u komplikua më tej pas një aksidenti të ndodhur në zonën e Labinot-Fushë, ku dy persona mbetën të plagosur lehtë. Sipas të dhënave paraprake, në përplasje janë përfshirë dy automjete, ndërsa të lënduarit janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për normalizimin e qarkullimit, si dhe për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të shmangin parakalimet e rrezikshme në këtë aks me intensitet të lartë lëvizjeje.

Reklame