Makinat luksoze në Tiranë janë vënë nën një kontroll të posaçëm nga Policia, e cila po verifikon jo vetëm dokumentet dhe identitetin e automjeteve, por edhe origjinën e tyre dhe burimin e parave me të cilat janë blerë.
Strukturat e Policisë së Tiranës kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me fokus evidentimin e mjeteve që mund të jenë përfituar nga veprimtari kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të tyre.
Kontrollet po zhvillohen nga strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore.
Në kryeqytet janë kontrolluar dhjetëra automjete luksoze, ndërsa për verifikimin e tyre është përdorur një aparaturë e posaçme, e cila mundëson kontrollin e të dhënave identifikuese të automjetit.
Pas verifikimit në sistem, policia ka kryer kontrolle të mëtejshme për pronësinë, origjinën dhe historikun e automjeteve, përfshirë të dhënat mbi blerjen, shitjen dhe posedimin e tyre.
Por fokusi nuk është ndalur vetëm te makina.
Policia kërkon gjurmët e parave
Një nga elementët kryesorë të kontrolleve është burimi i të ardhurave me të cilat janë blerë automjetet luksoze.
Policia thotë se po verifikon rastet kur pasuria mund të jetë përfituar nga veprimtari kriminale, si dhe automjetet që mund të jenë objekt i trafikimit të paligjshëm.
Pra, pas kontrollit të makinës, hetimi mund të shkojë edhe te burimi i parave dhe pasuria e personit që e posedon atë.
Në përfundim të verifikimeve të kryera deri tani, materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë, e cila do të vijojë me hetimet dhe veprimet e tjera procedurale.
Policia e Tiranës njofton se kontrollet ndaj automjeteve luksoze do të vijojnë, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave, trafikimit të mjeteve dhe përdorimit të pasurive me origjinë kriminale.
Lexo edhe
Trafik kilometrik në autostradën Rrëshen-Milot, dhjetëra makina mbeten të bllokuara
Kontrolle makinave të luksit në Tiranë dhe Krujë, arrestohen dy persona,sekuestrohet kokainë e armë













