Në Tiranë po zhvillohet edicioni i dytë i MatchMaker Albania, platforma që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase e ndërkombëtare. Aktiviteti ka mbledhur mbi 1000 pjesëmarrës dhe ka planifikuar më shumë se 400 takime biznesi, duke u kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në vend.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se Shqipëria po reflekton ritmin e zhvillimeve globale dhe është gati të mirëpresë investitorë nga e gjithë bota. Ai e përshkroi vendin si një mundësi që duhet shfrytëzuar “sikur s’ka të nesërme”, duke ftuar bizneset të lidhen dhe të investojnë.
Rama u ndal edhe te një moment i veçantë i hapjes së aktivitetit, ku një prezantim inovativ – i realizuar nga të rinj shqiptarë – sipas tij dëshmon potencialin që vendi ka për të kontribuar edhe në industri të avancuara, përfshirë atë ushtarake.
Kryeministri nënvizoi se sot është më e lehtë se kurrë që shqiptarët të kthehen dhe të investojnë në vend, ndërsa evidentoi katër fusha kryesore që po udhëheqin transformimin ekonomik, me fokus të veçantë te turizmi dhe projektet moderne urbane.
Ai shtoi se Shqipëria po përgatitet për investime të rëndësishme dhe synon të promovojë një model të ri turizmi, të bazuar jo vetëm te destinacionet, por edhe te qëndrueshmëria dhe cilësia e përvojës për vizitorët.














