Nga reagimi juaj, duket qartë se ose nuk e keni lexuar shkrimin tonë, ose nuk keni arritur ta kuptoni. Në artikullin tonë nuk kemi ngritur asnjë akuzë ndaj jush. Kemi thënë vetëm se në protestë ekziston edhe një grup që mbështetet nga Shpend Gashi dhe Altin Goxhaj. Ku është akuza këtu?
Fakti që nuk arrini të lexoni drejt një artikull të thjeshtë, e aq më keq, të kuptoni çfarë shkruhet në të, është një tregues që duhet t’ju bëjë të reflektoni. Ndoshta problemi qëndron pikërisht te bindja se vetëm ju i dini gjërat dhe se kushdo që mendon apo shkruan ndryshe nga ju, duhet të jetë patjetër i paguar.
Ne kemi mbi 20 vjet përvojë në gazetari. Nuk kemi nevojë të na mësoni ju se çfarë është gazetaria, ju që keni nisur të merreni me podcast-e kur ne kishim dy dekada në këtë fushë. Na falni, por ku ishit ju gjatë gjithë atyre viteve? Sepse, sinqerisht, nuk ju kujtojmë në këtë profesion.
Sa për pretendimin tuaj se jemi paguar nga Veliaj, Rama apo Balluku me nga 1000 euro, ju sfidojmë të paraqisni qoftë edhe një provë të vetme. Ne nuk jemi paguar, blerë apo shitur. Dhe mos na merrni për aq budallenj sa të mendoni se do të linim vendin bosh për ju, sikur të ishim pjesë e ndonjë pazari.
Ndryshe nga disa të tjerë, ne nuk kemi pasur nevojë të na premtojë askush një mandat deputeti, një vend nëpër studiot televizive, ndonjë post apo përfitim tjetër për të bërë detyrën tonë. Gazetaria jonë nuk është monedhë shkëmbimi për karrierë politike.
Sa për politikën, zoti Shpend, ju vetë keni zgjedhur të futeni në të. Por, nga sa po shohim, duket se ende keni shumë për të mësuar për mënyrën se si funksionon ajo. Rama dhe Berisha e njohin politikën shumë mirë. Aq mirë, sa shpesh ua marrin dorën atyre që hyjnë në këtë lojë duke menduar se mjafton entuziazmi, një mikrofon dhe disa video në rrjetet sociale. E shikuat si ua pordhën nusen në kalë?
Prandaj, para se të merreni me median, merruni me kundërshtarët tuaj në politikë meqë po aspironi të hyni aty. Lexoni veprimet e tyre, analizoni lëvizjet e tyre dhe mësoni prej tyre. Sepse politika nuk është vetëm të flasësh para kamerës, ashtu si gazetaria nuk është të akuzosh gazetarët sa herë që një shkrim nuk të pëlqen.
Ne do të vazhdojmë të shkruajmë. Ju, nëse keni kundërshtime, përgjigjuni me fakte. Jo me etiketime, jo me akuza pa prova dhe jo me krahasime që nuk rrëzojnë asnjë rresht të shkrimit tonë.
Nuk jemi aq anonimë sa mendoni, Shpend. Mjafton të ktheni kokën nga ata që keni pranë, mund t’ju tregojë fare mirë se sa të panjohur jemi ne dhe sa vite kemi në këtë profesion. Para se të na akuzoni se kush na paguan, bëni mirë të mësoni më parë se me kë po flisni. Je shumë “i vogël” Shpend për të na vënë çmime, rritu se politika do këllçe dhe është vend për luanë jo për çakej.
Lexo edhe
“Mirëmëngjes” me sofrën e dialogut, Rama përsërit ftesën për protestuesit














