Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste ka sot një mision historik për të çuar Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimi Europian, duke e cilësuar këtë si një amanet të lënë nga rilindasit dhe një detyrim ndaj brezave të ardhshëm.
Deklaratat u bënë gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të degës së Partisë Socialiste në Shkodër, ku Rama vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve dhe tha se kjo tregon forcën e mazhorancës.
“Kur më thanë se ka shumë njerëz, mendova që kur shumë njerëz kanë rezistuar deri në fund të asaj ngjitje, ne jo vetëm që jemi të fortë, por jemi më të fortë se asnjëherë tjetër”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë iu referua edhe kritikave të kundërshtarëve politikë, duke bërë një koment ironik për debatin e ditëve të fundit lidhur me flamingot dhe protestat kundër projektit në Zvërnec.
“Tani do na hidhen në fyt flamingot dhe do na thonë që administrata është mbledhur me zor”, tha Rama mes duartrokitjeve të mbështetësve.
Kryeministri e lidhi mesazhin e tij edhe me legjendën e Kalaja e Rozafës, duke thënë se historia e atyre që ndërtonin ditën dhe e atij që prishte natën mbetet aktuale edhe sot në jetën politike shqiptare.
Sipas Ramës, kjo legjendë pasqyron një realitet që ka shoqëruar historinë e vendit ndër shekuj, ku shpesh pengesat për zhvillimin kanë ardhur nga vetë shqiptarët.
“Halli më i madh shqiptarit i vjen nga shqiptari, por lajmi i mirë është se shumica e shqiptarëve është shumë e vendosur për të çuar deri në fund këtë mision historik”, deklaroi ai.
Në përfundim, Rama theksoi se objektivi kryesor i Partisë Socialiste mbetet integrimi europian, duke u shprehur se Shqipëria duhet të arrijë “majen që na e kanë lënë amanet rilindasit tanë dhe që ua kemi borxh fëmijëve tanë”.














